4 Strategji për të Përmirësuar Mësimdhënien tuaj Online

sapientify s. · 04/October/2018

4 Strategji për të Përmirësuar Mësimdhënien tuaj Online

A jeni i ri në mësimdhënien online, ose po kërkoni strategji për të përmirësuar metodat tuaja ne e-Teaching?

 

Si të përmirësoni mësimdhënien online

Kurset në internet janë një mënyrë tepër popullore për studentët dhe punonjësit për të avancuar me njohuritë ose zhvillimin e tyre profesional. Të japësh një kurs online kërkon metoda të ndryshme nga klasat tradicionale, prandaj është e rëndësishme që mësuesit të përshtaten ose të zhvillojnë aftësitë e tyre për mësimdhënien në internet, që t'i bëjnë materialet e tyre të efektshme dhe tërheqëse për studentët. Le të shohim 4 strategjitë që mund të zbatoni për të përmirësuar mësimdhënien dhe për ta bërë kursin online një përvojë të suksesshme për ju dhe studentët tuaj.

1. Angazhohuni me studentët tuaj online

Pa praninë tuaj fizike në klasë, është thelbësore që ju të krijoni një prani virtuale që në fillimet e kursit. Mësuesit online duhet të angazhohen dhe të mbështesin studentët në fillimet e tyre dhe gjatë vazhdimësisë së kursit, për të mbajtur një komunitet efektiv të të mësuarit.

Duke vendosur praninë tuaj si mësues, ju do t'u tregoni studentëve se jeni i pranishëm dhe i disponueshëm. Në këtë mënyrë i mirëprisni ata në komunitetin e tyre të ri të të mësuarit - njësoj siç do të vepronit në një klasë tradicionale.

Angazhohuni nëpërmjet postimeve në internet, forumeve ose mediave sociale - ku njerëzit shohin që mësuesit investojnë kohë në diskutime dhe biseda, ata do të inkurajohen më shumë që të marrin pjesë edhe vetë. Përmes këtij angazhimi, do të zhvilloni edhe marrëdhënie profesionale me studentët tuaj dhe do ta bëni eksperiencën e tyre shumë më personale dhe të paharrueshme.

2. Përdorni një kombinim të mjeteve mësimore për një rezultat më të mirë

Në ditët e sotme ne jemi me fat që kemi teknologjinë e nevojshme për të krijuar mjedise virtuale të të nxënit, që na lejojnë të bashkëpunojmë dhe të angazhohemi po aq sa në një klasë normale.

Dr. Judith V. Boettcher, Doktor dhe autor i A Faculty Guide for Moving Teaching and Learning to the Web ( Një Udhëzues Fakulteti për Zhvendosjen e Mësimdhënies dhe Mësimnxënies drejt Internetit ), thotë: "shumëllojshmëria e aktiviteteve që gjenden tani në internet mundëson krijimin e shumë mjediseve efektive të të mësuarit".

Mësuesit më të mirë online përdorin kombinimin dhe përzierjen e aktiviteteve të stileve të mësimdhënies tradicionale online me mjetet më të reja audio dhe vizuale. Të punuarit me një miksim aktivitetesh e bën përmbajtjen e kursit më interesant dhe emocionues, duke rritur angazhimin e studentëve me mësuesin dhe nxënësit e tjerë.

3. Jepni informacion lidhur me ecurinë e studentit

Vlerësimi i ecurisë është një komponent thelbësor i të gjitha mjediseve efektive të të nxënit - duke përfshirë edhe atë online.

Si një mësues online, vlerësimet tuaja do të ndihmojnë për të krijuar një përvojë informuese, angazhuese dhe motivuese për studentin. Vlerësimet tuaja konstruktive duhet të jenë të vazhdueshme gjatë procesit mësimor, në mënyrë që studentët të mund të identifikojnë qartë cilat janë sjelljet apo aftësitë që duhet të përmirësojnë.

4. Bëjini përmbajtjet e kurseve tuaja të prirura drejt teknologjisë

Duhet pranuar rëndësia e pajisjeve elektronike tek kurset online, pasi studentët dhe të tjerë  përdorin telefonat/kompjuterat e tyre për të mësuar ose marrë informacione të reja. Të mësuarit me telefon/kompjuter ka shumë avantazhe pasi i lejon ata të kenë akses në materialet më të reja të kursit dhe në informacione të rëndësishme kudo e kurdo. Studentët mund të punojnë me materialet mësimore, të ndara në copëza informacioni, të cilat mund t’i asimilojnë sipas ritmit të tyre individual, duke ndihmuar kështu në performancën e tyre.

Sigurohuni që përmbajtja e kursit tuaj të jetë lehtësisht e aksesueshme përmes telefonave, kompjuterave dhe tabletëve për të maksimizuar rezultatet që dëshironi të arrini. Në këtë mënyrë i tregoni studentëve gjithashtu se jeni në kontakt me metodat moderne dhe teknologjinë e fundit.

Me këto strategji, mund të ndiheni më të sigurt për aftësitë tuaja të mësimdhënies online dhe studentët do t’ju falenderojnë për mjedisin pozitiv dhe bashkëpunues që keni krijuar.